May 19, 2009

Ja si dëshiroj unë që të jenë myslimanët

Frikësojuni All-llahut dhe përmirësoni gjendjen ndërmjet njëri-tjetrit... (Kur’ani: El Enfalë: 1)

Mendoj se është e qartë, sot më shumë se kurrë, kemi nevojë për përmirësimin e marrëdhënieve mes nesh, për shtimin e dashurisë, e cila bën të mundur që, nga i Madhi Zot të zbresë bereqeti, ndihma dhe udhëzimi. Sot kemi nevojë që muslimanët të hapin një faqe të re me njëri-tjetrin, duke dëshmuar kështu për vëllazërinë e plotë islame. Sepse bereqeti e ndihma e All-llahut janë afër bashkësisë; me fjalë të tjera, janë afër njerëzve që e duan njëri-tjetrin.
Feja islame i ka kushtuar një rëndësi të veçantë marrëdhënieve të mira ndërmjet muslimanëve, madje ajo i nxit pandërprerë muslimanët që të mbajnë marrëdhënie të mira mes tyre. Pejgamberi (paqja qoftë me të) në një hadith thotë: “A t’ju lajmëroj për diçka që është më e lartë se shkalla e agjërimit, e namazit dhe e lëmoshës vullnetare? Shokët e tij thanë: - Po! Tha: - Përmirësimi (pajtimi, rregullimi), ndreqja ndërmjet jush.” (Transmeton Ebu Davudi)
Kështu pra, besimtarët këshillohen për pastrimin e zemrave edhe për çështjet më të vogla, në mënyrë që ata të jetojnë një jetë të lumtur e të bashkuar me njëri-tjetrin. “Dhe Ne do të largojmë nga zemrat e tyre çdo gjurmë plage a dhimbjeje (që mund të kenë pasur); (Do të jenë) vëllezër që shohin njëri-tjetrin me gaz (të nderuar) mbi fronet e tyre të larta.” (Kur’ani: El Hixhr: 47)

All-llahu i Madhëruar dhe i Dërgurai i Tij (paqja qoftë me të), kanë vendosur rregulla të qarta për marrëdhëniet ndër njerëzore e, aq më tepër për marrëdhëniet mes muslimanëve. Për shembull, Pejgamberi Muhammed (paqja qoftë me të) thotë: “Kush i ka bërë ndonjë padrejtësi vëllait të tij, duke folur për nderin e tij, apo diçka tjetër, le të kërkojë falje prej tij, apo le t’ia japë të drejtën sot, para se të vijë një ditë në të cilën s’do të hyjë më në punë as dinari, e as dërhemi. Nëse ka punë të mirë, prej saj merret aq sa padrejtësia e tij, nëse nuk ka të mira, merret prej të këqijave të atij që i është bërë padrejtësia dhe i hidhen të padrejtit.” (Transmeton Buhariu) Aq më tepër ne si muslimanë duhet t’i japim të drejtat (që meritojmë) njëri-tjetrit, duhet ta respektojmë njëri-tjetrin dhe mos të kapemi e të debatojmë për gjëra të kota që s’kanë aspak vlerë për diskutim në këtë kohë. Le të mos merremi me gjëra që s’na vlejnë dhe, si pasojë e këtyre debateve të shumta, të papjekura e shterpë, nisim dhe e emërtojmë njëri-tjetrin me lloj-lloj epitetesh. E ç’na vlen ky debat, kur ne thyejmë zemrën e bashkëbiseduesit?!...
Duhet të dimë se zhvillimi i debateve të shumta, të papjekura e të kota, të cilat shkaktojnë edhe ndarjen në grupe të ndryshme (gjë e cila nuk na vlen aspak), shkaktojnë rënien në kundërshtim të plotë me fjalën e All-llahut (Të Lartësuar), i Cili thotë:
“Kapuni që të gjithë për litarin (fenë, Kur’anin) e All-llahut, e mos u përçani.” (Kur’ani: Ali Imran:103)
“Mos u bëni si ata që u ndanë dhe u përçanë pasi u patën zbritur argumentet. Ata do t’i pasojë një dënim i madh.” (Kur’ani: Ali Imran: 105)
“Vërtet, ata që e përçanë fenë e tyre dhe u ndanë në grupe, ti (Muhammed) nuk je prej tyre në asgjë dhe nuk ke kurrfarë përgjegjësie. Çështja e tyre është vetëm tek All-llahu, Ai do t’i njohë me atë që punuan.” (Kur’ani: El Enam:159)
“Mos u bëni si idhujtarët, që e përçanë fenë e tyre dhe u ndanë në grupe, ku secili grup i gëzohej idesë së vet.” (Kur’ani: Er Rum: 32)
Pra, në këtë mënyrë, dëshirojmë të realizojmë një vepër të pëlqyer dhe, harrojmë të zbatojmë një obligim, që është pikërisht fjala e All-llahut (Të Lartësuar), “Mos u bëni si ata që u ndanë dhe u përçanë...”. Ne si muslimanë nuk duhet t’i hapim rrugë shejtanit që të ndikojë për keq tek ne, në prishjen e marrëdhënieve mes nesh, sepse “shejtani e ka humbur shpresën që ta adhurojnë falësit e namazit, porse atij i mjafton që të na nxisë kundër njëri-tjetrit.” (Transmeton Muslimi)
Edhe pse muslimanët mund të mos bien dakord me njëri-tjetrin në një çështje të caktuar, ata përsëri mbeten vëllezër. Junus Es Sadeti thotë: “Nuk kam parë njeri më të logjikshëm se Imam Shafiu. Debatova me të një ditë për një çështje, pastaj u ndamë. Më vonë më mori për dore dhe më tha: - O Ebu Musa, a nuk është e drejtë që të jemi vëllezër edhe pse nuk ramë dakord për një çështje të caktuar?” (Ali ibn Muhammed ibn Sulejman Ed Dehami, “Për një zemër të pastër”, Botuar nga “Nektari”, Tiranë, 2004, fq. 49.) Këta janë shembujt e vërtetë që rrezatojnë dritë, për të cilën kemi aq shumë nevojë. Edhe pse nuk ranë dakord për një çështje të caktuar, ata përsëri mbetën vëllezër.
Qëllimi im i nderuar lexues, nuk është që të paraqes këtu shkaqet e dobësimit të marrëdhënieve të mira, debateve etj., por qëllimi im është që t’u bëj thirrje vëllezërve të mi, që të përmirësojnë marrëdhëniet mes tyre dhe, t’u kujtoj atyre fjalët e All-llahut dhe të Pejgamberit (paqja qoftë me të), sepse përkujtimi me të vërtetë u bën dobi besimtarëve!
Tregohet se njëherë, në një luftë që po zhvillonin muslimanët, mes të tjerësh mbesin të plagosur rëndë tre luftëtarë muslimanë. Gjendja e rëndë fizike dhe thatësira e madhe e bënte të nevojshme që të kërkohej pak ujë për të pirë. Njëri nga luftëtarët e plagosur kërkon ujë dhe menjëherë i ofrohet një gotë me ujë, por sapo bëhet gati të pijë, dëgjon luftëtarin tjetër i cili kërkonte ujë për të pirë. Luftëtari i parë thotë: çoja ujin atij vëllait që po kërkon ujë. Sapo bëhet gati të pijë ujë luftëtari i dytë, dëgjon një luftëtar tjetër që po kërkonte ujë për të pirë. Luftëtari i dytë i kërkon shërbyesit që t’ia çojë ujin luftëtarit të tretë. Sapo shërbyesi i afrohet për t’i dhënë ujin, shikon se ai kishte vdekur. Kthehet tek luftëtari i dytë, por edhe ai kishte vdekur, shkon tek luftëtari i parë dhe shikon se edhe ai kishte vdekur.
Ja pra, ky është shembulli më i mirë i vëllazërisë islame, asnjëri nga këta besimtarë të nderuar nuk pranoi që të shuante etjen e vet, ndërkohë që vëllai i tij vuante. Edhe pse ishin në çastet e fundit të jetës, edhe pse ishin në një gjendje të rëndë fizike, ata sakrifikuan për njëri-tjetrin.
I nderuar lexues, versetet kuranore, fjalët pejgamberike dhe tregimet e shumta nuk mungojnë rreth çështjes së bashkimit, por e nevojshme është që këto versete kuranore dhe këto porosi pejgamberike të praktikohen e të vihen në zbatim, sepse vetëm atëherë do të marrin vlerën e duhur.
Së fundi, i bëj apel muslimanëve që të përmirësojnë marrëdhëniet mes tyre, të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin në të mira, ta rrisin më shumë nivelin e tyre arsimor dhe intelektual, të ruajnë marrëdhëniet farefisnore, të punojnë e të tregojnë më shumë respekt për të rriturit dhe të moshuarit. Ne si muslimanë, kemi shumë gjëra të përbashkëta që na bashkojnë. Pse duhet të merremi me ato pak gjëra që na ndajnë!?...



P.S. Këtë shkrim ia kushtoj gjyshit tim Haxhi Sylo Mehas (pastë rahmet), që tregoi një shembull të lartë devotshmërie në ruajtjen e marrëdhënieve me njerëzit, dhe luajti rolin e një oguri të vyer në nxitjen për marrëdhënie të fisme me të tjerët!


Mirsad SYLJA

Apr 13, 2009

Kërkoj një pushtetar me emrin njeri!

Para pak ditësh, në një periudhë të shkurtër kohore u ritregua burrëria e pushtetarëve tanë, duke përjashtuar nga shkolla dy vajza muslimane për shkak se mbanin në kokë mbulesën karakteristike islame... Ky nuk është rasti i parë, pasi gjatë këtyre viteve të fundit jemi përballur shpeshherë me një diskriminim të tillë përjashtues. Ndërkohë që u prite një lloj balancimi apo shfajësimi nga ministria jonë e famshme e arsimit, vetë ministri z. Beja deklaron në media, se në shkollat shqiptare ‘nuk do të lejohen të arsimohen nxënëset apo studentet që në kokat e tyre mbajnë shami’!

Mundohem, përpiqem dhe tentoj (si çdo herë) t’a kuptoj e arsyetoj z. ministrin për aq sa tha; mirëpo këtë radhë e kam të vështirë... E kam të vështirë për vetë faktin se nuk arrij të kuptoj logjikën dhe urtësinë e këtij pohimi! Nuk arrij të kuptoj se, përse është kaq shqetësim për ministrin në fjalë, një shami e thjeshtë e cila tregon devotshmëri, sakrificë e vullnet të madh... Ashtu siç nuk arrij të gjej mbulesën ndër problemet kryesore me të cilën duhet të merret arsimi shqiptar dhe së cilës i duhet kushtuar kaq shumë kujdes e vëmendje!

I nderuar ministër!

Të mos respektosh parimet e një feje hyjnore, do të thotë se juve e keni ngarkuar veten me përgjegjësi që (fatkeqësisht) s’ju takojnë. Një vajzë e cila mban një mbulesë të tillë në shkollë, universitet a kudo qoftë, dëshmon se në zemrën e saj ka besim për të Madhin Zot, dëshmon se e don Atë dhe se i bindet Atij! Atëherë, ndoshta me të drejtë pyes, si mundet që një njeri i cili jeton dhe vepron komform ligjeve hyjnore, te jetë i dëmshëm dhe i rrezikshëm për shoqërinë në të cilën jeton, aq sa edhe të përjashtohet nga shkolla?!
Ajo vajzë që mban një shami të tillë në këtë kohë, mos mendo se e ka të lehtë. Mos mendo se e ka të lehtë t’i rezistojë paragjykimeve e diskriminimeve që i bëhen; por ajo është e fortë dhe reziston sepse e bën të tillë bindja që ajo ka, vullneti i hekurt që posedon, shpirti i madh që e karakterizon..., të paktën për këto karakteristika që s’mund t’i gjeni tek shumica e të rinjve shqiptarë, ju duhet ta respektoni e ta nderoni...
Ajo çdo herë bën thirrje për të mirën, për të bukurën e për fisniken, që të lartësohet e drejta dhe shoqërisë sonë rinore t’i kthehet dinjiteti që i ka humbur nga sëmundjet fatkeqe të kohës. Ajo çdo herë përpiqet të jetë shembull i të mirës, i bujarisë dhe moralit të lartë; sepse s’ka si të jetë ndryshe përderisa ajo vepron me ligj hyjnor e moral njerëzor...

I nderuar ministër!

Besoj se ju dhe institucioni që ju përfaqësoni, keni punë më të mëdha se të merreni me një mbulesë të thjeshtë, që në fund të fundit është zgjedhje personale dhe që çdo herë mbetet në kornizat e personales! Besoj se për juve dhe të gjithë ne (sepse mbi të gjitha është një obligim moral dhe njerëzor) është më me rëndësi që të largojmë tutje nga shkollat tona drogën dhe alkoolin. Që në shkollat tona mos të mbizotërojë ‘trimëria’ përball mësuesit apo pedagogut, por të mbizotërojë edukata njerëzore. Kemi nevojë që shkollat tona mos t’i ngatërrojmë me fabrikat që prodhojnë duhan; që studenti apo nxënësi të mbajë në xhep stilolaps, në vend të paketës së cigares apo armëve të ftohta. Kemi nevojë që në shkollat tona të bëhet mësim, jo presion mësues-nxënës (apo e kundërta) për interesa personale... Kemi nevojë që në shkollat tona të bëhet mësim, jo ekspozim provokues apo paradë mode! Kemi nevojë që në shkollat tona të mos prodhohet e të imponohet imoralitet, por të prodhohet dije, kulturë e qytetërim. Kemi nevojë që në shkollat tona të kemi infrastrukturë për të bërë mësim, kushte laboratorike e didaktike... Këto mendoj se duhet të jenë sfidat dhe prioritetet e ministrisë së arsimit, jo të merret me imponimin e heqjes së mbulesës, apo përzënien e individëve nga dyert e institucionit arsimor!

Janë shumë të rralla në botë, rastet kur përjashtohen nga shkolla vajzat me shami dhe rastet kur atyre u ndalohet e drejta për t’u arsimuar... Merreni si shembull kë të doni në botën perëndimore, vajza e mbuluar lejohet të arsimohet e të frekuentojë shkollën, sepse është e drejtë e saj... Nga ana tjetër, edhe bota i njeh vlerat e saj, e respekton dhe i jep vendin që realisht i takon! E gjithë kjo, sepse e drejta, besimi dhe njeriu si qenie e lirë, janë më të shenjta se mendësia e një ministri...

Po nënë Tereza, i nderuar ministër, përse nuk u shpërfill nga bota? Përse nuk u përjashtua edhe ajo nga institucionet, sepse edhe ajo ishte e mbuluar me shami në kokë... Përse u nderua e u respektua kudo që shkoi, në çdo vend të botës; mos vallë edhe ajo duhej të përzëhej sepse në kokë mbante mbulesë?... Por, jo! Jo, asnjëherë nuk ndodhi një gjë e tillë, sepse bota i di vlerat e asaj që sakrifikon dhe në kokën e saj mban shami (mbulesë), e kujtdo besimi qoftë...

Turp!

Është turp për ‘Ministrinë e Arsimit’ sot, në vitin 2009-të dhe në kohën që sapo u anëtarësuam në NATO, të përzejë nga shkolla një qytetare të thjeshtë që paguan të gjitha taksat që i detyrohet shtetit, e që shteti ia kthen me më të mirën e mundshme duke e nxjerrur në rrugë... Është turp të nxjerrësh në rrugë një njeri që e do dijen (dhe që nesër do të jetë promotor i saj) e të mbash në shkollë një njeri që as sesi s’e meriton! Është turp të shkelësh mbi një parim hyjnor dhe mbi dinjitetin e një vajze që me të drejtë kërkon të arsimohet e që nesër të jetë një ogur i vyer për shoqërinë në të cilën jeton...
Turp edhe për institucionin e ‘Komunitetit Musliman Shqiptar’ që s’është i aftë të përfaqësojë e të mbrojë interesat e bashkësisë së tij, por bën deklarata false dhe e lë bashkësinë të orvatet sa lart-poshtë, duke mbledhur firma, dërguar letra e peticione në presidencë, kryeministri, zyrat e OSBE-së, ambasadave, etj., etj. E gjithë kjo, ngase institucioni përfaqësues i muslimanëve shqiptar është i paaftë të mbrojë interesat e komunitetit të tij, sepse mund ta zgjidhte një herë e mirë çështjen e shamive kur u bë ‘nënshkrimi i marrëveshjes mes komuniteteve fetare dhe shtetit Shqiptar’, por...!

Përfundimisht!

Shamia apo mbulesa e femrës muslimane është e shenjtë, atë s’mund ta nëpërkëmbi as një ministër, as një institucion, askush!
Nëse është e mundur, i kërkoj ministrit që të dalë publikisht dhe t’na e bëjë të qartë urdhrin e tij: ‘Në shkolla dhe universitete s’ka vajza të mbuluara’! Të na tregojë neve që jemi pro shamisë në shkolla, përse e kemi gabim qëndrimin tonë; por jo me deklarata të prera duke imituar komunizmin e 67-ës që ndaloi barbarisht besimin e shenjtë fetar..., edhe vendimi i fundit i ministrit është monizëm me emrin ‘Demokraci’, siç ishin më herët monizëm vendimet e xhaxhit Enver!
Nga ana tjetër, edhe muslimanët duhet të marrin në dorë vetë fatin dhe të mbrojnë të drejtat e tyre, madje të shkojnë aq larg sa edhe të thonë se, ‘votën në zgjedhje’ ia japim atyre që mbrojnë interesat morale dhe fetare!
Nëse ‘Feja islame’ është e pranuar me ‘Kushtetutën shqiptare’, atëherë ajo duhet patjetër të pranohet si tërësi e jo fragmentarisht. Shamia nuk është import nga jashtë por një realitet fetar dhe historik shumëshekullor. Vendimet e qeverisë duhet të jenë manifestim i vullnetit të qytetarëve e jo qytetarët të jenë manifestim i vendimeve të qeverisë. Sepse qeveritë vijnë e shkojnë, ndërsa vlerat fetare janë ato që mbesin përjetë!...
Ministri e kushdo qoftë, duhet të mbahet e të krenohet me atë që mund të ndërtojnë për të ardhmen e shoqërisë e të arsimit shqiptar, e jo me përjashtim dhe nxjerrje në rrugë. Nuk është e hijshme t’ua përplasësh kushtetutën e të mbulohesh me të, sepse siç thoshte edhe Mark Tuen: ‘Shpeshherë e drejta për budallallëk mbrohet nga kushtetuta. Kjo është garantuar, ngase shumica e tyre shpalosin budallallëkun e tyre në qeverisje’...


Shkodër, më 13. 04. 2009


Mirsad SYLJA

Mar 7, 2009

Sh...sh...sht nënë, se barku nuk ka pasqyrë!

Në qytetin tonë një gjyshe po kuvendonte me nipin e saj dhe po i thoshte: - Dielli lind çdo ditë bir dhe lëshon rrezet e tij të dobishme në tokë. Rrezet qëndrojnë për një kohë të gjatë në tokë, e pastaj largohen për të pushuar pak, e për të ardhur përsëri ditën tjetër. Jo për njerëzit, por për bimët dhe kafshët bir!... E njëjta gjë ndodh edhe me shiun. Shiu bie në tokë, sepse për të kanë nevojë bimët dhe kafshët. Ai nuk bie për njerëzit! Jo, jo, nuk bie për ta...
- Po pse gjyshe nuk bie shiu për ta? Çfarë kanë (bërë) njerëzit, pse nuk e meritojnë shiun, ujin, rrezet e diellit?
- Eh, mor bir, do të rritesh e do ta kuptosh më mirë këtë!
- Mirë gjyshe, por po më bën përshtypje, se pse njerëzit qenkan sot më të këqij se kafshët e bimët, pse ata nuk e meritojnë shiun, ndërsa kafshët e bimët e meritojnë atë?!
- Po mor bir, është e vërtetë, sepse njerëzit sot janë bërë shumë të këqij. Janë larguar nga rruga e Zotit. Njerëzit sot, punës së keqe e të turpshme, i thonë punë e mirë dhe e moralshme. Kanë humbur çdo gjë të mirë bir! Mundohen të të shfrytëzojnë dhe pastaj kur e kryejnë punën e tyre, as që të flasin më me gojë... Pra janë mosmirënjohës. U bën shumë të mira dhe thonë se ua ke për borxh që t’ua bësh. Ka edhe nga ato bir, të cilët hiqen si besimtarë të mirë (burra me mjekra e gra të mbuluara), mirëpo fatkeqësisht nuk kanë asgjë të përbashkët me besimin, përveç emrit, mbulesës apo mjekrës!
Dije bir dhe mos e harro se, “Kokat e zbrazëta, janë shumë më të rrezikshme sesa fishekët e mbushur me barut.” E sot ka shumë koka të zbrazëta. Është fatkeqësi e madhe. E ndihmon njeriun, lodhesh duke e ndihmuar, harxhon mund për të dhe në qoftë se një ditë nuk mund ta ndihmosh (për arsye të ndryshme), ai të fyen, të shan pas shpine tek te tjerët dhe pastaj të thotë:
- “Unë erdha tek ti për të mirë, se mund të shkoja diku tjetër.” Janë mosmirënjohës të mëdhenj. Mos e harro bir, se ‘të jesh faqezi nuk është ndonjë gjë shumë e madhe, sepse njerëzit të njohin për të tillë, por ama të jesh mosmirënjohës, je dhjetëfish faqezi!...’([1]) Bashkëpunojnë njerëzit vetëm në punë të pandershme. Vetëm në idiotësira. Nuk ka më turp, ka ikur turpi...! Ai që ka pak turp quhet i prapambetur, bir (!) dhe njerëzit nuk e quajnë të kohës, por e quajnë trashëgues të dokrrave të vjetra, me fjalë të tjera nuk e përfillin...
As që u shkon ndërmend njerëzve të lexojnë dy rreshta nga Libri Hyjnor. Që ta vënë në zbatim as që bëhet fjalë, por të paktën të lexojnë diçka, se ndoshta u bën pak dobi. Biri im! Sot gjaku i qenit është bërë më i shtrenjtë se gjaku i muslimanit (Djaloshit në këtë moment i kujtohet qeni që ka në oborrin e shtëpisë dhe pyet gjyshen, përse?), sepse muslimanin sot e vrasin pa asnjë farë dhembshurie, pa asnjë farë arsye. Ndërsa qenin, njerëzit e sotëm e marrin, e lajnë, i japin për të ngrënë, kujdesen për të dhe në fund e marrin me vete në shtrat për të fjetur. (Po pohon djaloshi me kokë, sikur do të thotë: I kam parë se si veprojnë!) Ndërsa muslimanin e vrasin, e presin në emër të ‘terrorizmit’. A shikon pse është më i shtrenjtë sot gjaku i qenit se ai i muslimanit?!
- Ah mor bir, kur babai dhe xhaxhai yt ishin të vegjël, nuk kisha se çfarë t’iu jepja për të ngrënë! Burri më kishte vdekur dhe isha fill e vetme. Shpeshherë u jepja nga një copë bukë dhe një vezë të zier, të cilën e ndaja në dy gjysma, ua jepja dhe u thosha:
- “Sh...sh...sht, hani nënë se barku nuk ka pasqyrë e nuk ju shikon kush se çfarë keni ngrënë!...” Kështu e kam rritur babain dhe xhaxhain tënd. Kështu ishte pjesa më e madhe e qytetit tonë, që sot e harxhon paranë pas alkoolit, bixhozit, imoralitetit, etj.
A e shikon se si janë njerëzit bir? E për çfarë të na i sjellë Zoti shiun e rrezet e diellit, që janë jetë për gjallesat? A i meritojmë ne njerëzit e sotëm këto mirësi?!...
Është afruar shumë dënimi, mor bir i nënës... Menjëherë djaloshi vendos fesin e bardhë në kokë (sepse ishte mësuar që çdo herë që falej e lutej, pasi merrte abdes, vendoste fesin në kokë e pastaj fillonte namazin e lutjet) dhe fillon e lutet:
O i Madhi Zot, o All-llah! Të lutem na fal!!
O Mëshirues! E di, O Zoti im, se e meritojmë dënimin Tënd, bile e kemi hak, por të lutem, mos na dëno ashpër!
I Gjithëfuqishmi im! Të lutem, na jep edhe pak kohë për përmirësim e reflektim! Ti më mjafton për çdo gjë, Ti je mbrojtësi im më i mirë! Amin!
Shkoder, me 06.03.2009
Mirsad SYLJA

([1]) Këtë fjalë të urtë e kujtoj shpesh nga profesori im i paharruar Dr. Honoris Causa Faik Luli (Mësues i Popullit), pastë rahmet.

Jan 23, 2009

Kush është jashtëqitja aziatike?!


Një ditë, po lexoja në disa forume të ndryshme disa debate dhe replika që ishin bërë rreth muslimanëve, të cilët kishin shkruar diçka në këto forume. Gjithashtu, po lexoja edhe të ashtuquajturat replika që në realitet ishin fyerje në adresë të fesë islame.
Muslimanët i quanin njerëz injorantë, të pacipë, të paarsimuar dhe ajo që tingëllonte më bukur ishte ‘jashtëqitja aziatike’! Edhe fesë islame nuk i kishin lënë gjë mangët duke e emërtuar si: ‘fe e kotë’, ‘fe e pakuptimtë’, ‘fe e varfanjakëve’, etj. Gjithashtu më bëri përshtypje se kur një person me një nickname të caktuar replikonte bukur mbi një temë (p.sh., për politikën, apo për ekonominë), ai përgëzohej dhe i mbështetej mendimi e arsyetimi, por në momentin që ky person bënte një replikë pro fesë islame, apo pro muslimanëve, atij menjëherë i hidheshin në shpinë pjesëtarët e tjerë të listës duke e quajtur tradhtar e antishqiptar!
Për të nisur, si e do adeti, me një klasifikim piramidal, them se shoqëria shqiptare e pas viteve `90 ngriti një hipokrizi vlerash joreale, një sistem që duhet goditur, sa kohë që nuk është ngurtësuar përjetësisht. Deformimet morale, shoqërore, ekonomike dhe politike kanë krijuar gjurulldi e kaos edhe në mendimin e pavarur.
Duhet ta kemi të qartë se e vërteta nuk mund të jetë monopol i askujt dhe se ajo nuk mund të fshihet, sado mite dhe legjenda të shkatërrojë ajo rreth nesh. Kështu që, fyerjet e këtyre liliputëve, ndaj fesë islame dhe ndaj muslimanëve, janë plotësisht të pabaza e të pavërteta. Këta njerëz duhet të lexojnë për Islamin dhe për kulturën islame, e pastaj të replikojnë në çdo formë që t’iu paraqitet rasti. Unë jam i sigurt, se pasi ta bëjnë një gjë të tillë, ata do ta ndryshojnë qëndrim e tyre ndaj fesë islame dhe ndaj muslimanëve. Këta njerëz duhet ta dinë se shpikësit e pjesës më të madhe të shkencave bazë janë muslimanët. Duhet të dinë se nga shekulli VIII-të e deri në shekullin XV-të, studiuesit muslimanë shkruan volume të panumërta librash mbi gjeografinë e Afrikës, Azisë, Indisë dhe Kinës. Këto shkrime përfshinë enciklopeditë e para gjeografike, kalendarë dhe harta rrugësh. Kryeveprat e ibn Battutas në shekullin e XIV-të japin një vështrim të hollësishëm të gjeografisë së lashtë. Gjeografët muslimanë të shekullit të V-të e gjer në shekullin XV-të, i tejkaluan shumë punimet e evropianëve për sa i përket gjeografisë së këtyre vendeve gjer në shekullin XVIII-të. Kryqëzatat sollën shkatërrimin e institucioneve të edukimit, vrasjen e shkencëtarëve dhe zhdukjen e librave të tyre. Ato nuk sollën asgjë të rëndësishme për botën perëndimore në lidhje me gjeografinë.([1])
Duhet të dinë se një grup i tërë kimistësh muslimanë, si Er-Razi, Xhabiri, El-Biruni dhe El-Kindi kryen eksperimente kimike rreth shtatëqind vjet përpara Boilit (për të cilin sot pretendohet se është themelues i kimisë në shekullin e XVII-të). Duranti, shkruan se ishin muslimanët ata që e futën metodën eksperimentale në këtë shkencë, ndërsa Humbloti i konsideron muslimanët si themeluesit e kimisë.([2])
El-Biruni ishte eksperimentuesi i parë i botës. Ai shkroi më tepër se dyqind libra, shumë prej të cilëve trajtojnë eksperimentet e tij të sakta. Kontributi i tij shkencor, që arrin në 13-të mijë faqe, ia kalon shkrimeve të Galileit dhe Njutonit të marra së bashku.([3]) Mjekët muslimanë përdorën të parët një sërë substancash të caktuara për të vrarë mikrobet. Ata përdorën sulfurin kundër zgjebes, kurse El-Raziu (shekulli X-të) përdori përzierje merkuri si antiseptikë lokalë.([4])
Matematikanët muslimanë ishin të parët që përdorën numrat dhjetorë në vend të thyesave të mëdha. Libri i El-Kashiut, “Çelësi drejt aritmetikës”, u shkrua në fillimet e shekullit XV-të dhe ishte stimuli kryesor për aplikimin sistematik të numrave dhjetorë si për numrat e plotë, ashtu edhe për thyesat.([5]) Ekuacionet kubike edhe ekuacionet e gradëve më të larta, zgjidheshin me lehtësi nga muslimanët që në shekullin e X-të (ndërkohë që pretendohet se këto lloj ekuacionesh mbetën të pazgjidhura deri në shekullin e XVI, kur i zgjidhi një matematikan italian, Nikolo Tartalia).([6])
Që nga shekulli i IX-të gjer në shekullin XIV-të, studiuesit muslimanë shpikën shkencën e etnografisë dhe ata janë të parët që punuan me të. Një sërë gjeografësh muslimanë i klasifikuan racat duke paraqitur shpjegime të qarta të zakoneve, të kulturave dhe të pamjes së jashtme. Ata shkruan mijëra faqe mbi këtë temë. Shkrimet e Blumenbahut janë të parëndësishme kur krahasohen me to.([7])
Vërejeni pra, këta janë muslimanët. Kjo është feja islame, e cila fjalën e parë të shpalljes hyjnore e kishte “Lexo!”, duke i urdhëruar besimtarët e saj që të lexojnë, të arsimohen, të edukohen me dije e të logjikojnë mbi bazën e dijes. Si mundet pra që feja islame të jetë fe e kotë, fe e njerëzve injorantë?! Si mundet që muslimanët të jenë ‘jashtëqitja aziatike’ e të paarsimuar? Por ky është pohim vetëm i atyre njerëzve që bartin mbi shpinë konspiracione reaksionare... Këta njerëz s’e shohin realitetin (sepse i kanë sytë të verbuar që, aman-aman!...), i cili është i hidhur për ta, por vazhdojnë të imitojnë civilizimin ‘allafranga’ dhe përdridhen si ‘pas modës’!...


Shkodër, më 22. 01. 2009


Mirsad Sylja

([1]) Revista “Argumenti”, Viti V, nr. 7 (52), fq. 24. Duke i’u referuar: Dr. K. Ajram “Ndreqja e gabimit, Mrekullia e Shkencës Islame”, bazuar në “World Book Encyclopedia” (Enciklopedia e Librit Botëror), “Enciklopedia Britanica” (Enciklopedia Britanike) dhe në librin shtatëqind (700) faqesh i Isak Asimovit, “Kronologji e shkencës dhe e zbulimeve”.
([2]) Po aty, fq. 24.
([3]) Po aty, fq. 25.
([4]) Po aty, fq. 25.
([5]) Revista “Argumenti”, Viti V, nr. 5 (50), fq. 24. Duke i’u referuar: Dr. K. Ajram “Ndreqja e gabimit, Mrekullia e Shkencës Islame”, bazuar në “World Book Encyclopedia” (Enciklopedia e Librit Botëror), “Enciklopedia Britanica” (Enciklopedia Britanike) dhe në librin shtatëqind (700) faqesh i Isak Asimovit, “Kronologji e shkencës dhe e zbulimeve”.
([6]) Po aty, fq. 24.
([7]) Po aty, fq. 25.