Sep 7, 2007

Jam krenar qe jam medresist, jam krenar qe studioj ne medrese!

Jam krenar që jam mysliman, jam krenar që jam nga ummeti i zgjedhur, dhe njëkohësisht jam krenar që Zoti im është All-llahu dhe se i dërguari i Tij i fundit është Muhammedi - alejhisselam -.
Të shkruash një material me titull “Jam krenar që jam medresist” fillimisht të duket e lehtë dhe jo e vështirë, duke shikuar faktin se janë fjalë që dalin nga zemra dhe që nuk ke nevojë të lodhesh e të mendosh se ç`farë të shkruash, mirëpo më besoni, se kur u ula për ta shkruar këtë material mu duk shumë e vështirë që ti përmbledh ato fjalë në këtë shkrim të shkurtër... Por, qëllimi im i mirë më bëri që ta kapërceja këtë “vështirësi” dhe të shkruaj e të shpreh shumë gjëra që unë i ndjej në veten time, e që i ndjejnë shumë medresistë të tjerë...!
Unë jam krenar që studioj në medrese! Vendi ku mësohet për fenë e All-llahut dhe për dritën që ndriçon në netët e errëta, në netët pa hënë, të kohës së sotme... Jam krenar që studioj në shkollën, e cila mban emrin e një njeriu të madh, si Haxhi Sheh Shamia (1814, 1815-1891). ([1]) Për Zotin tuaj jam krenar, që mësoj në shkollën e cila bart emrin e këtij njeriu, i cili la gjurmë të thella në historinë shqiptare (sidomos në atë të Shkodrës), u dallua në Aleksandri dhe në Francë. Në këtë të fundit thuhet se ka shkruar dhe ka lënë disa studime të shkruara me tematikë mjekësore. Ishte i jashtëzakonshëm në dijet fetare!... Jo më kot, këtë njeri e vlerësuan dhe e nderuan... ([2]).
Jam krenar që studioj në një institucion të tillë që nuk e ka askush në Shqipëri e jo më në Shkodër! Kjo është për tu pasur zili këtë, por ne nuk na shqetëson ky fakt, madje ne na shtohet më tepër dashuria për këtë shkollë, apo jo?
Jam krenar që studioj në një shkollë madhështore, e cila ngrihet në hyrje të qytetit tonë dhe të duket sikur thotë ky tempull i dijes:
- Ej, o ju njerëz! Ejani tek unë, t`ju jap pakë dritë!
Ne e duam dritësinë, andaj qëndrojmë në medrese...
A nuk e dëgjoni kur na thotë ditën e xhuma:
- Bijtë e mi! Sot është ditë e xhuma(Premte). Ju duhet të shkoni në xhami, dhe mos harroni se, këtë mundësi shkollat e tjera nuk ua krijojnë. Unë ju dua ju, sepse ju jeni pjesë e imja, andaj të qëndrojmë së bashku.
Ajo vazhdon me porositë e saj, porosia e radhës është:
- Bijtë e mi! Të kini kujdes! Sot bota është kthyer në një harem të madh virtual. Kujdes sot, kur njerëzit janë shndërruar në ujqër e kur ujqërit janë shndërruar në njerëz... Kujdes bijtë e mi, mos ta lëmë njeri-tjetrin vetëm, sepse sot kemi nevojë më shumë se kurrë të qëndrojmë së bashku...Unë me ndihmën e Zotit ju mbroj nga të këqijat që ju kanosen nga ujqërit dhe dhelprat dinake. Tani ne jemi bërë një familje e madhe!
Besoj, se e dini rastin me mollët e shëndetshme. Lexojeni, lexojeni më mirë:
“Disa mollë të shëndetshme e flakë të kuqe, koloviteshin të gëzuara në një degë të nënës së tyre. Dy udhëtarë u kënaqën duke i parë mollët, por gardhi i fortë nuk i lejonte të afroheshin.
- Çudi e madhe, -i’a pret më maniaku prej tyre- këto mollë të kuqe e të shëndetshme, të rrethuara me gjemba si të burgosura! Të paktën të kishte disa hyrje ky gardh i mallkuar, për të shkuar deri tek mollët. Të mjerat mollë si e kalojnë jetën! Njëra nga mollët e dëgjon maniakun dhe i thotë: - Njerëzit janë të gjithë bijtë e Havasë, ju pëlqen molla e ndaluar. Rroftë gardhi, se pa të ne do të na shkatërronin që në fëmijëri.” ([3])
Edhe ne themi si këto mollë fatbardha: Rroftë shkolla që na mësoi e na mbrojti nga intrigat mashtruese të intrigantëve dhe intriganteve bashkëmoshatarë.
Zoti ynë, të falënderojmë që ne na zgjodhe nga mijëra bashkëmoshatarë dhe na vendose ne në medrese!
Medreseja e urtë, bashkë me disa njerëz të urtë që ka brenda gjirit të saj, na porosit për namazin. Lexojini këshillën e saj:
- Bijtë e mi! Mos e harroni namazin. Unë kam për ju një sallë ku ju mund të luteni dhe ti faleni Atij, që ju, ju fali në këtë botë. Unë ju dua ju, dhe e kam posaçërisht për ju këtë sallë. Hë, kjo është sallë shumë e dashur!...
Sa e mirë është shkolla jonë me këtë sallë!
- Unë ju falënderoj bijtë e mi, ngase kur ju vini tek unë, pra në shkollën tuaj, ju më përshëndesni me selam, dhe unë padyshim ua kthej atë, por kur mora vesh se në shkollat e tjera nuk ndodhte kështu, më besoni, u brengosa shumë...
Mësova, se nxënësit atje mësonin shumë gjëra që mua më vjen turp t`ua them...
Ah sa mirë është të jesh medresist!
Zoti ynë të falënderojmë Ty, që na bëre ne nga medresistët e mirë!
Medreseja jonë e argjendtë vazhdon e rrëfen:
- Një natë shikova në një nga televizionet e Shkodrës një emision të bukur. Ishte emisioni “Arena”, në të cilin ishin të ftuar nxënës të shkollave të ndryshme të qytetit tonë (Nxënës nga medreseja “Haxhi Sheh Shamia” nuk ishin të ftuar). Në këtë emision serioz, nxënësit akuzonin mësuesit e tyre se ishin të përfshirë në korrupsion në shkollë. Duke u mbështetur në statistika, ata akuzonin mësuesit dhe dëshmonin se në këta shkolla ka abuzime seksuale mes mësuesit dhe nxënësit!... ([4])
Në familjen tonë të madhe nuk ndodhin gjëra të tilla, apo jo?!
Ah sa mirë që jemi një familje e tillë!...
Mbrëmjen e 8 qershorit dëgjova një skandal që kishte ndodhur në një gjimnaz, këtu në vendin tonë të dashur... Bëhej fjalë për një skandal pornografik, i cili kishte ndodhur në klasë, në sytë e të gjithëve...
Po këtë mbrëmje televizioni “Klan”, publikoi këto shifra skandaloze, që të shurdhojnë veshët dhe të presin këmbët kur i dëgjon, por ama, janë vërteta... Shikojini:
Në bazë të statistikave që janë bërë, janë arritur këto përfundime:
· 80% e nxënësve në gjimnazet e Tiranës, pranojnë se kanë jetë aktive seksuale.
· 20% pranojnë, se kanë kryer marrëdhënie seksuale me katër (4) partner të ndryshëm.
· 17% e tyre (nxënësve) konsumojnë alkool dhe duhan.
· 7% e nxënësve mbajnë armë në shkollë. ([5])
E shikoni bijtë e mi?! Ne, jemi të pastër nga këto vese, falë mëshirës së All-llahut dhe falë institucionit ku ju studioni...
Po, medreseja jonë e dashur, është mese e vërtetë. Jemi krenarë që studiojmë tek ti. Jemi krenar që jemi medresistë! Faleminderit All-llah! Faleminderit medrese!...

Shkodër, më 12.07.2007

Mirsad Sylja

([1]) F. Luli, I. Dizdari, N. Bushati, “Në kujtim të brezave”, Shtypur në shtypshkronjën “Rozafa”, Shkodër, 1997, fq. 39
([2]) Po aty, fq. 39-53
([3]) Gazeta “Drita e dijes”, nr. 64, Botues klubi kulturor “Drita”, Shkodër, fq. 3
([4]) Ky emision është shikuar në muajin maj 2007, në TV “Rozafa”.
([5]) Këto statistika u publikuan nga TV “Klan” në edicionin e fundit të lajmeve (11:00 PM), më datë 8.06.2006

****

1 comments:

Anonymous said...

Zoti te rujt!
Selamun alejkum

Behari