Jan 19, 2008

Pse nuk dallohet nata e bardhë?!...

Është natë bajrami! Moti është pak i ftohtë, ndërsa qielli i kthjellët. Në të mund të dallosh lehtësisht yjet që janë fanarët e qiellit. Është natë e qetë, e bardhë, plot nur e shpirt qetësues; me fjalë të tjera kjo natë nga ana natyrore dallon nga netët e mëparshme...
Duke kaluar nëpër rrugët e qytetit kërkoj që t’a identifikoj këtë natë, por fatkeqësisht nuk arrij... Kudo “Bar”-et janë të mbushura plot me njerëz, e natyrisht, mes pak të tjerash, edhe me sëndukë birre e vere moderne...
Kërkohej në to qetësia, çlodhja nga rutina e ditës; edhe pse çlodhja nuk gjendet aty (!). “Bar”-et janë të mbushura me qytetarë-(e) që duan të kalojnë stresin në to, të qetësohen vërtetë.
Kaloj nga sheshi i Parrucës, aty valëvitet një parullë e cila uron “Bajramin e Kurbanit”, dy hapa më larg ma merr shikimin “Pema e Krishtlindjeve dhe e Vitit të Ri”, e cila ngrihet madhështore mu në qendër të sheshit bashkë me çingla-minglat e saj. Dy hapa më larg shikoj zbukurimet e Krishtlindjeve dhe të Vitit të Ri në shtyllat e dritave që ndriçojnë sheshin (Por edhe rrugët e tjera të qytetit të cilat lidhen me Parrucën, pra me qendrën). Dy - tre hapa më larg (në rrugën që të çon nga Parruca për tek Bashkia) shoh parullën e radhës: “X kompani ju uron gëzuar festat”! Pak më larg më pret parulla tjetër “Gëzuar Vitin e Ri”! Shumë më larg e pak më afër shikoj zbukurimet e shumta me drita shumë ngjyrëshe, të cilat simbolizojnë “Krishtlindjet dhe Vitin e Ri”...([1])
Bajramin ma uron edhe një parullë tjetër në rrugën Perash - Xhabije (e dyta dhe e fundit parullë)!... Dy parulla të cilat në morinë e parullave të tjera, humbasin si shkuma e detit...
Kontributi i këtyre dy parullave në ngjalljen e atmosferës së festës së Bajramit është shumë i vogël; aq më tepër në jetën e sotme kapitaliste (Jetë në të cilën lodhesh shumë e fiton pak, jetë në të cilën gëzohesh pak e humbet shumë, aty ku njeriu s’ka mëshirë për njeriun, aty ku vuan për bukë në qoftë se “të rreshket këmba”, aty ku s’ka moral, sepse nderi është lënë rrugëve (ashtu siç lihet era e parfumit); aty ku e keqja quhet e mirë, aty ku familja është kope veglash dëfryese (!), aty ku nuk ke dëshirë të jesh, por je, sepse nuk ke nga t’ia mbash...)!
Zoti e bëri këtë natë të bardhë! Por edhe njeriu duhet të përpiqet me çdo kusht në atë llojin e vet, që ta bëjë edhe ai të bardhë këtë natë...
Përballë jetës kapitaliste të mirëfilltë, përballë sfidave të shumta anti-islame, përballë milionave që vihen në lojë për ta dëmtuar Islamin, përballë “zbukurimeve të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri”, dy parulla në rrugë dhe një emision televiziv në TV1 Channel për festën e “Bajramit të Kurbanit”, janë pak, janë fare pak!...
(Meqë nata nuk dallohet, le të shpresojmë që të paktën nesër të dallohet së është ditë Bajrami!...)

Shkodër, më 19. 12. 2007

Mirsad SYLJA


([1]) Nëse dikush nuk është dakord me çështjen se “bredhi i gjelbër është pema e Krishtlindjeve dhe e Vitit të Ri”, po ashtu edhe se zbukurimet e rrugëve simbolizojnë “Krishtlindjet dhe Vitin e Ri”, le të shikojë më gjerësisht shkrimin e Elsa Demos, “Betlehemët e Shkodrës”, në gazetën “Shekulli”, me datë 28. 12. 2007; shkrim në të cilin vetë famullitari i “Kishës Katolike”, Dom Gjovalin Sukaj, shprehet se: “I pari dekor i rrugëve në Shkodër për Kshnella është bërë në 2004 nga kisha katolike. Pastaj filloi nga bashkia.”, etj.

0 comments: