Feb 23, 2008

Kronikë e promovimit të librit ‘Fjalë Frymëzuese’

Më datën 3 Shkurt 2008, në orën 10.30, në sallën e madhe të konferencave në “Grand Hotel Europa”, u bë promovimi i librit ‘Fjalë Frymëzuese’ të autorit Mirsad Sylja.
Në promovim merrnin pjesë miq nga Kosova, autoritete të ndryshme të qytetit të Shkodrës, duke filluar nga myftiu i Shkodrës, Imam Ndriçim Sulejmani; drejtori i medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, z. Kujtim Dervishi; zv/ Kryeimami i “Bashkësisë Islame të Kosovës”, z. Sabri Bajgora; drejtori i medresesë “Alaudin” në Prishtinë, z. Ekrem Simnica.
Merrnin pjesë mësues nga medreseja “H. Sh. Shamia”, studiues të ndryshëm, teologë, miq e të afërm të Mirsadit.
Në promovim referoi teologu Ilir Bejtja, i cili ndër të tjera tha:
“...në këtë libër ka një përputhje të plotë mes titullit dhe përmbajtjes. Në të gjitha temat ka shtytje që burojnë nga shpirti i pastër i autorit, nga momentet e jetës së tij, si dhe nga ngjarjet që e rrethojnë.
Mirsadi me këtë punim të tijin, ngre zërin për të drejtat hyjnore, për vlerat e domosdoshme të të gjithë elementëve të shoqërisë duke filluar nga individi, kultura dhe trashëgimia familjare, si dhe ndërtimi i një kompleksiteti shoqëror me virtytet e edukatës islame që, i jep kuptim jetës së kësaj bote dhe vlerat shpresuese të mëshirës hyjnore në jetën tjetër. Autori paraqet modelin e një të riu musiman që e ndërton jetën në një shoqëri moderne...”


Referatin e dytë me temë: “Bota shpirtërore e parë përmes dimensionit shpirtëror”, e mbajti teologu dhe studiuesi nga Kosova, z. Ajni Sinani. Ndër të tjera ai u shpreh:



“...Lirisht mund të konkludojmë me gojën plotë se, libri ‘Fjalë frymëzuese’ i shkruar nga Mirsadi, është një kontribut i vyeshëm kundër epidemive të kohës sonë. Synimi i këtij libri është që të vejë në dispozicion një grup të dhënash fetare që kanë të bëjnë me secilin prej nesh, e veçmas me rininë në kohën tonë, në mënyrë që të largojë shastisjen në mendje dhe grimcimin e shpirtrave...”
Referatin e tretë me temë: “Guxim apo ambicie?”, e mbajti pedagogu në “Akademinë e arteve”, Tiranë, z. Edison Çeraj. Ai theksoi rëndësinë e botimeve origjinale në gjuhën shqipe nga autorë të ndryshëm.
Referatin e fundit me temë: “Libri ‘Fjalë Frymëzuese’ i shikuar me syrin e një të riu”, e mbajti maturanti Sead Cena. Ndër të tjera ai citoi:



“...Tema të tilla si: “Akooli”, “Për një rini më aktive në mbartjen e Islamit”, “Le të ngrejmë një gjeneratë dinjitoze”, etj., të cilat i takojnë rrafshit shoqëror, trajtohen në sfond me frymë Islame. Elementi fetar dhe këshillat e pakufizuara në kohë dhe hapësirë të fesë Islame, janë themelet e kësaj ndërtese që mban sloganin: “Fjalë Frymëzuese”!



“...Vlera e një gjëje, në të shumtën e rasteve matet me jetëgjatësinë e saj, pra sa ka kontribuar në mardhënie horizontale me botën, thënë tjetërsoj, se sa është i aftë t’u bëjë ballë sfidave që sjell koha...
Unë besoj dhe jam i sigurt se, libri “Fjalë Frymëzuese” do t`ia dalë...”

Pas referateve përshëndeti myftiu i Shkodrës, z. Ndriçim Sulejmani; drejtori i medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, z. Kujtim Dervishi; drejtori i medresesë “Alaudin” në Prishtinë, z. Ekrem Simnica, dhe në fund, mësuesja kujdestare e Mirsadit znj. Shpresa Bushati.
Mbas këtyre përshëndetjeve të ngrohta, e mori fjalën autori i librit, i cili u shpreh:
“Falënderimet më të sinqerta që dalin furishëm nga shpirti, e që vazhdojnë deri në pafundësi, i përkasin Krijuesit të gjithësisë, të Gjallit, Vigjiluesit, All-llahut të Madhëruar!
Paqja dhe mëshira e Tij e pakufishme dhe madhështore, qoftë mbi zotërinë tim, Muhammedin (s.v.s)!...
Pas këtyre dy urimeve e falënderimeve speciale, dëshiroj që të falënderoj familjen time për ndihmën e jashtëzakonshme e të pakursyer që më ka dhënë, për kujdesin që ka treguar ndaj meje, e që më krijoi mundësinë, që unë të punoj e të eci përpara!
Më pas dëshiroj të falënderoj medresenë “Haxhi Sheh Shamia” dhe drejtorin e saj, z. Kujtim Dervishi; e falënderoj me gjithë zemër për nxitjen, mbështetjen në çdo iniciativë të hajrit dhe, për respektin që ka treguar ndaj meje dhe ndaj shokëve të mi! Faleminderit zotëri Kujtim!
Një falënderim mirënjohës, kam për të gjithë stafin pedagogjik të medresesë, të gjithë mësuesit papërjashtim, të cilët nuk kursyen aspak, por më mësuan dhe më edukuan më përkushtim. Mirënjohje dhe falënderim për të gjithë!
Vazhdoj falënderimet, duke falënderuar redaktorin e librit, prof. Ilir Bejtjen, për gjithçka ka bërë për mua.
Më pas, një falënderim të veçantë kam për profesorin dhe mikun tim të ngushtë nga Kosova, z. Ajni Sinani, i cili udhëtoi një numër të konsiderueshëm kilometrash, me qëllimin e vetëm që, të prezantojë sot këtu në këtë promovim!...
Falënderoj prof. Adem Balën dhe pedagogun Edison Çeraj, për ndihmën që më kanë dhënë, dhe për çdo gjë që kanë bërë për botimin e këtij libri, të cilin ju sot keni mundësi ta shfletoni në duart tuaja.
Po ashtu, falënderoj mjeshtrin e dizajnit, Denis Dylin, i cili ka punuar më përkushtim që libri të dalë sa më i pasur nga ana grafike!
Përfitoj nga rasti të falënderoj edhe shtëpinë botuese “Shtjefni”, për botimin në mënyrë përfekte të librit!
Një falënderim tjetër i veçantë shkon për ata që më ndihmuan në aspektin financiar, në mbarëvajtjen e këtij promovimi, pra bëhet fjalë për shoqatën “Istanbul”, me kryetarë z. Shuajb Bashan, dhe për një shoqëri biznesi, pronari i së cilës më ka kërkuar që mos t’ia publikoj emrin, duke dëshmuar kështu për imanin që e karakterizon këtë njeri...
Së fundi, me shpresë që të mos kem harruar kënd pa përmendur e falënderuar, po e mbyll fjalën time, duke shprehur një respekt të madh dhe konsideratë të sinqertë për ju, që më nderuat sot me pjesëmarrjen tuaj!
Edhe një herë falënderime dhe gjithmonë në tubime të tilla vëllazërore u mbledhshim! Ashtu qoftë!

Në fund, promovimi u mbyll me koktejl.([1])


Gazetari





([1]) Për të gjithë të interesuarit, librin ‘Fjalë Frymëzuese’ mund ta gjeni tek libraria “Albania”, Parrucë; në librarinë “Ora e Shkodrës”, pranë postës në Pijacë; ose çdo të Xhum’a në xhaminë “Ebu Bekr”.

4 comments:

izmir said...

selam alejkum....

izmir said...

un jam izmir zeneli un kam qen nxenes i shkolles medrese....por tani nuk jam tani un jam ne itali..un kisha deshir qe tiu shkruaja dhe tiu falèminderoja ty dhe te gjith nxenesit qe jan ne ate shkoll...adresa ime eshte miri-15@hotmail.it.......selam alejkum...

izmiri said...

faleminderoj te gjith por ne vecanti...artur taganin.........dhe kusheriren time glediana pashain qe ben msim akoma ne ate shkoll ........selam alejkum te gjitheve ............

izmir zeneli said...

me kthe meszh .......miri-15@hotmail.it