Dec 16, 2008

Dhe thuaj: O Zoti im, ma shto diturinë!

Dituria arrihet duke vuajtur
dhe bëhet ligj i jetës e mjet i shpëtimit.(
[1])

Eskili

Dituria është dritë! Ajo është thesar i vërtetë të cilën Zoti i Madhërishëm nuk i’a ka dhënë çdo njeriu. Ajo vetëm ndrit. Ajo i bën njerëzit të “shurdhër”, kurse padituria i bën ata të zhurmshëm. Dituria është ajo e cila, “është më e nevojshme se buka dhe uji, sepse buka dhe uji na duhen një apo dy herë në ditë, ndërsa dituria na duhet sa herë që marrim frymë.”([2]) Për njeriun e ditur kërkon falje çdo gjë që është në qiell dhe në tokë, madje edhe peshqit në det. Dijetari është më i nderuar se besimtari i thjeshtë, siç është hëna më e theksuar se yjet. Dijetarët janë pasardhës të të dërguarve të Zotit, ngase të dërguarit na kanë lënë trashëgim diturinë. Prandaj, ai që e trashëgon atë, ka trashëguar lumturi të madhe.([3])
Ndërsa Ibn Abasi (All-llahu qoftë i kënaqur me të), duke hedhur dritë mbi diturinë dhe vlerën e saj thotë në komentimin e ajetit njëmbëdhjetë të sures ‘Muxhadele’: “Dijetarët janë më lart se besimtarët e thjeshtë shtatëqind gradë dhe, ndërmjet dy gradëve distanca është pesëqind vjet.” Duke i kushtuar një kujdes të veçantë dijes dhe vlerës së saj, ai gjithashtu thotë: “Shenjë e mjaftueshme e devotshmërisë është dituria, ndërsa shenjë e mjaftueshme e mendjemadhësisë është padituria.”
Brezat e hershëm i ka karakterizuar urtësia dhe dituria. Këto të dyja ishin të pandara nga njëra-tjetra dhe ishin udhërrëfyese në rrugën e këtyre brezave. Besoj se ky ishte shkaku që ata jetuan një jetë të qetë e të lumtur, larg halleve, streseve e telasheve. Njëri ndër këta është edhe Lukmani([4]) i urtë. Ai e porosit të birin duke i thënë:
- “O biri im! Ulu pranë dijetarëve me thjeshtësi dhe shoqëroji ata, sepse All-llahu i ringjall zemrat me dritën e urtisë siç ringjall tokën e shkretë me ujin e shiut.”([5]) Ai vazhdon me këshillat e urta e të goditura duke thënë:
- “O biri im! Ruaju nga dembelizmi dhe përtacia. Një pjesë të jetës përkushtoja nxënies së dijes dhe mos diskuto, e as mos debato me njerëzit kokëfortë dhe kryeneçë.”([6])
Zoti i Madhërishëm e bekoi diturinë, duke bërë të mundur që nëpërmjet saj njeriu të fitojë sevape edhe pas vdekjes së tij. Pra, personi i cili ka dituri, prej së cilës kanë dobi njerëzit, do të ketë hajr të madh në këtë botë dhe në botën tjetër... Dituria është shkak që njerëzit të të respektojnë më shumë se sa respektojnë një njeri të thjeshtë, apo një njeri të paarsimuar.
Tregohet se para shumë vitesh se, në Arabinë Saudite gjendej një njeri që quhej Muhamed el-Evkasi. Muhamedi ishte njeri me qafë të ngjitur në trup dhe supe të dala. Nëna i thoshte: “Kudo që të ndodhesh në shoqëri do të të përqeshin dhe do të të tallin, prandaj mëso, ngase dituria do të të lartësojë!” Më vonë ai u bë gjykatës në Mekë dhe në këtë post qëndroi njëzet vjet. Ishte aq i ditur sa kundërshtarët, kur uleshin pranë tij, dridheshin derisa largoheshin. Për t’i vënë kapakun vlerës dhe dobisë së diturisë, ju kujtoj ngjarjen me Aliun (All-llahu qoftë i kënaqur me të). Aliu e mori Kumejli bin Zijadin përdore dhe bashkë me të u nisën drejt një shkretëtire. Kur doli nga shkretëtira ofshau thellë dhe i tha Kumejlit: “O Kumejl, zemrat janë enë. Më të mirat janë ato të cilat zënë më shumë. Mbaj mend çfarë do të them! Tre janë llojet e njerëzve: Dijetari që merret me shkencë, nxënësi që kërkon rrugën e shpëtimit dhe horrat e prishur që synojnë gjithçka dhe anojnë nga çdo erë që fryn. Këta të fundit nuk i ka ndriçuar drita e diturisë, dhe nuk janë mbështetur në diçka të fuqishme. Dituria është më e mirë se pasuria. Dituria të mbron ty, ndërsa ti duhet ta mbrosh pasurinë. Gjithçka sa më shumë shpenzohet, aq më shumë harxhohet, ndërsa dituria shtohet. Dituria është gjykatës, ndërsa pasuria i gjykuar. Dashuria ndaj diturisë është fe që predikohet. Dituria i mundëson dijetarit që të nderohet dhe që pas vdekjes të kujtohet për mirë. Rojtarët e pasurisë vdesin për së gjalli, ndërsa dijetarët mbesin të gjallë përjetë. Sytë nuk i shikojnë, por fjalët e tyre mbahen në zemër. Ja këtu është dituria (dhe tregon në gjoksin e tij)...([7])

* * *

I nderuar lexues!

Më lart përmenda disa nga dobitë dhe mirësitë e diturisë. Tani kam dëshirë që të shohim shkurtimisht sëbashku se sa angazhohen njerëzit për diturinë dhe se sa e vlerësojnë atë.
Me keqardhje të madhe konstatojmë se pjesa më e madhe e të rinjve të sotëm nuk e vlerësojnë diturinë, nuk angazhohen dhe nuk preokupohen me të. Nëse nuk doni t’ju fyej inteligjencën, atëherë çdo koment do të ishte ofendues përpara realitetit të dukshëm se, fatkeqësisht ata angazhohen e preokupohen me gjëra të pavlera, të dëmshme për të ardhmen e tyre. Ata preokupohen për telenovela imorale, për emisione të pahijshme, për frekuentim të vendeve pa moral, për humbje të kohës, etj, etj!...
E s’ka dyshim se njeriu i ditur që punon me dije është më i nderuari dhe, ti si njeri e ke në dorë vetë që të zgjedhësh nëse do të jesh prej të nderuarve (të diturve), apo prej injorantëve. E pra, “unë të këshilloj që të mos bëhesh prej injorantëve!”([8])


Shkodër, më 15. 12. 2008


Mirsad SYLJA

([1]) Adnan Mehmeti, “Bota e mendimeve”, fq. 100.
([2]) Thënie e Imam Ahmedit.
([3]) Ahmed Ferid, “Deti i kthjellët i devotshmërisë dhe suptelitetit”, Fondacioni Humanitar “Al Haramain”, Tiranë, 2002, fq. 32.
([4]) Njeri i urtë e i ditur, i cili besoi në All-llahun (E Lartësuar) dhe u shqua shumë për këshillat e tij të urta. Jetoi shumë kohë para Profetit Muhammed (paqja qoftë mbi të).
([5]) Omer Islami, “Dobitë e diturisë”, http:// www.albislam.com, (18.11.2005).
([6]) Shejh M. Keraeti, “Komentimi i sures Lukman”, Tiranë, 2007, fq. 32.
([7]) Ahmed Ferid, “Deti i kthjellët i devotshmërisë dhe suptelitetit”, fondacioni Humanitar Al Haramain, Tiranë, 2002, fq. 33.
([8]) Kur’ani: El En’nam: 46

0 comments: