Frikësojuni All-llahut dhe përmirësoni gjendjen ndërmjet njëri-tjetrit... (Kur’ani: El Enfalë: 1)
Mendoj se është e qartë, sot më shumë se kurrë, kemi nevojë për përmirësimin e marrëdhënieve mes nesh, për shtimin e dashurisë, e cila bën të mundur që, nga i Madhi Zot të zbresë bereqeti, ndihma dhe udhëzimi. Sot kemi nevojë që muslimanët të hapin një faqe të re me njëri-tjetrin, duke dëshmuar kështu për vëllazërinë e plotë islame. Sepse bereqeti e ndihma e All-llahut janë afër bashkësisë; me fjalë të tjera, janë afër njerëzve që e duan njëri-tjetrin.
Feja islame i ka kushtuar një rëndësi të veçantë marrëdhënieve të mira ndërmjet muslimanëve, madje ajo i nxit pandërprerë muslimanët që të mbajnë marrëdhënie të mira mes tyre. Pejgamberi (paqja qoftë me të) në një hadith thotë: “A t’ju lajmëroj për diçka që është më e lartë se shkalla e agjërimit, e namazit dhe e lëmoshës vullnetare? Shokët e tij thanë: - Po! Tha: - Përmirësimi (pajtimi, rregullimi), ndreqja ndërmjet jush.” (Transmeton Ebu Davudi)
Kështu pra, besimtarët këshillohen për pastrimin e zemrave edhe për çështjet më të vogla, në mënyrë që ata të jetojnë një jetë të lumtur e të bashkuar me njëri-tjetrin. “Dhe Ne do të largojmë nga zemrat e tyre çdo gjurmë plage a dhimbjeje (që mund të kenë pasur); (Do të jenë) vëllezër që shohin njëri-tjetrin me gaz (të nderuar) mbi fronet e tyre të larta.” (Kur’ani: El Hixhr: 47)
All-llahu i Madhëruar dhe i Dërgurai i Tij (paqja qoftë me të), kanë vendosur rregulla të qarta për marrëdhëniet ndër njerëzore e, aq më tepër për marrëdhëniet mes muslimanëve. Për shembull, Pejgamberi Muhammed (paqja qoftë me të) thotë: “Kush i ka bërë ndonjë padrejtësi vëllait të tij, duke folur për nderin e tij, apo diçka tjetër, le të kërkojë falje prej tij, apo le t’ia japë të drejtën sot, para se të vijë një ditë në të cilën s’do të hyjë më në punë as dinari, e as dërhemi. Nëse ka punë të mirë, prej saj merret aq sa padrejtësia e tij, nëse nuk ka të mira, merret prej të këqijave të atij që i është bërë padrejtësia dhe i hidhen të padrejtit.” (Transmeton Buhariu) Aq më tepër ne si muslimanë duhet t’i japim të drejtat (që meritojmë) njëri-tjetrit, duhet ta respektojmë njëri-tjetrin dhe mos të kapemi e të debatojmë për gjëra të kota që s’kanë aspak vlerë për diskutim në këtë kohë. Le të mos merremi me gjëra që s’na vlejnë dhe, si pasojë e këtyre debateve të shumta, të papjekura e shterpë, nisim dhe e emërtojmë njëri-tjetrin me lloj-lloj epitetesh. E ç’na vlen ky debat, kur ne thyejmë zemrën e bashkëbiseduesit?!...
Duhet të dimë se zhvillimi i debateve të shumta, të papjekura e të kota, të cilat shkaktojnë edhe ndarjen në grupe të ndryshme (gjë e cila nuk na vlen aspak), shkaktojnë rënien në kundërshtim të plotë me fjalën e All-llahut (Të Lartësuar), i Cili thotë:
• “Kapuni që të gjithë për litarin (fenë, Kur’anin) e All-llahut, e mos u përçani.” (Kur’ani: Ali Imran:103)
• “Mos u bëni si ata që u ndanë dhe u përçanë pasi u patën zbritur argumentet. Ata do t’i pasojë një dënim i madh.” (Kur’ani: Ali Imran: 105)
• “Vërtet, ata që e përçanë fenë e tyre dhe u ndanë në grupe, ti (Muhammed) nuk je prej tyre në asgjë dhe nuk ke kurrfarë përgjegjësie. Çështja e tyre është vetëm tek All-llahu, Ai do t’i njohë me atë që punuan.” (Kur’ani: El Enam:159)
• “Mos u bëni si idhujtarët, që e përçanë fenë e tyre dhe u ndanë në grupe, ku secili grup i gëzohej idesë së vet.” (Kur’ani: Er Rum: 32)
Pra, në këtë mënyrë, dëshirojmë të realizojmë një vepër të pëlqyer dhe, harrojmë të zbatojmë një obligim, që është pikërisht fjala e All-llahut (Të Lartësuar), “Mos u bëni si ata që u ndanë dhe u përçanë...”. Ne si muslimanë nuk duhet t’i hapim rrugë shejtanit që të ndikojë për keq tek ne, në prishjen e marrëdhënieve mes nesh, sepse “shejtani e ka humbur shpresën që ta adhurojnë falësit e namazit, porse atij i mjafton që të na nxisë kundër njëri-tjetrit.” (Transmeton Muslimi)
Edhe pse muslimanët mund të mos bien dakord me njëri-tjetrin në një çështje të caktuar, ata përsëri mbeten vëllezër. Junus Es Sadeti thotë: “Nuk kam parë njeri më të logjikshëm se Imam Shafiu. Debatova me të një ditë për një çështje, pastaj u ndamë. Më vonë më mori për dore dhe më tha: - O Ebu Musa, a nuk është e drejtë që të jemi vëllezër edhe pse nuk ramë dakord për një çështje të caktuar?” (Ali ibn Muhammed ibn Sulejman Ed Dehami, “Për një zemër të pastër”, Botuar nga “Nektari”, Tiranë, 2004, fq. 49.) Këta janë shembujt e vërtetë që rrezatojnë dritë, për të cilën kemi aq shumë nevojë. Edhe pse nuk ranë dakord për një çështje të caktuar, ata përsëri mbetën vëllezër.
Qëllimi im i nderuar lexues, nuk është që të paraqes këtu shkaqet e dobësimit të marrëdhënieve të mira, debateve etj., por qëllimi im është që t’u bëj thirrje vëllezërve të mi, që të përmirësojnë marrëdhëniet mes tyre dhe, t’u kujtoj atyre fjalët e All-llahut dhe të Pejgamberit (paqja qoftë me të), sepse përkujtimi me të vërtetë u bën dobi besimtarëve!
Tregohet se njëherë, në një luftë që po zhvillonin muslimanët, mes të tjerësh mbesin të plagosur rëndë tre luftëtarë muslimanë. Gjendja e rëndë fizike dhe thatësira e madhe e bënte të nevojshme që të kërkohej pak ujë për të pirë. Njëri nga luftëtarët e plagosur kërkon ujë dhe menjëherë i ofrohet një gotë me ujë, por sapo bëhet gati të pijë, dëgjon luftëtarin tjetër i cili kërkonte ujë për të pirë. Luftëtari i parë thotë: çoja ujin atij vëllait që po kërkon ujë. Sapo bëhet gati të pijë ujë luftëtari i dytë, dëgjon një luftëtar tjetër që po kërkonte ujë për të pirë. Luftëtari i dytë i kërkon shërbyesit që t’ia çojë ujin luftëtarit të tretë. Sapo shërbyesi i afrohet për t’i dhënë ujin, shikon se ai kishte vdekur. Kthehet tek luftëtari i dytë, por edhe ai kishte vdekur, shkon tek luftëtari i parë dhe shikon se edhe ai kishte vdekur.
Ja pra, ky është shembulli më i mirë i vëllazërisë islame, asnjëri nga këta besimtarë të nderuar nuk pranoi që të shuante etjen e vet, ndërkohë që vëllai i tij vuante. Edhe pse ishin në çastet e fundit të jetës, edhe pse ishin në një gjendje të rëndë fizike, ata sakrifikuan për njëri-tjetrin.
I nderuar lexues, versetet kuranore, fjalët pejgamberike dhe tregimet e shumta nuk mungojnë rreth çështjes së bashkimit, por e nevojshme është që këto versete kuranore dhe këto porosi pejgamberike të praktikohen e të vihen në zbatim, sepse vetëm atëherë do të marrin vlerën e duhur.
Së fundi, i bëj apel muslimanëve që të përmirësojnë marrëdhëniet mes tyre, të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin në të mira, ta rrisin më shumë nivelin e tyre arsimor dhe intelektual, të ruajnë marrëdhëniet farefisnore, të punojnë e të tregojnë më shumë respekt për të rriturit dhe të moshuarit. Ne si muslimanë, kemi shumë gjëra të përbashkëta që na bashkojnë. Pse duhet të merremi me ato pak gjëra që na ndajnë!?...
P.S. Këtë shkrim ia kushtoj gjyshit tim Haxhi Sylo Mehas (pastë rahmet), që tregoi një shembull të lartë devotshmërie në ruajtjen e marrëdhënieve me njerëzit, dhe luajti rolin e një oguri të vyer në nxitjen për marrëdhënie të fisme me të tjerët!
Mirsad SYLJA


0 comments:
Post a Comment